Alarm ushqimor/ AKU tërheq nga tregu çokokremin me salmonelë

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ndërhyrë pas një njoftimi nga sistemi europian i sigurisë ushqimore RASFF, i cili ka identifikuar praninë e bakterit Salmonella spp në një krem lajthie me kakao të importuar nga Gjermania.

Produkti i prekur është “Nudossi Haselnuss-Nougat-Crème” me peshë 300 gram, i sjellë në tregun shqiptar nga kompania “Lengo Group”. Sipas të dhënave zyrtare, ky produkt konsiderohet me rrezik të lartë për shëndetin.

Gjatë kontrolleve në subjektin importues, AKU ka evidentuar një sasi prej 18.3 kg, e cila është bllokuar dhe do të asgjësohet. Ndërkohë, rreth 8.7 kg janë hedhur në treg dhe janë blerë nga konsumatorët.

Për këtë arsye, autoritetet kanë kërkuar njoftimin e menjëhershëm të klientëve dhe tërheqjen e produktit nga tregu. AKU apelon që çdo qytetar që e ka blerë këtë çokokrem të mos e përdorë, por ta rikthejë pranë pikës së shitjes.