SPAK heton skemën e dyshuar të transfertave jashtë vendit nga “Bankers”, nën lupë hua 50 mln dollarë


Prokuroria e Posaçme (SPAK) po heton një skemë të dyshuar financiare të lidhur me kompaninë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, për transferime të mundshme fondesh jashtë Shqipërisë përmes transaksioneve ndërkompanish.

Sipas të dhënave hetimore, pavarësisht se kompania në bilancet e saj rezulton me humbje, ajo ka dalë garante për hua të konsiderueshme të marra nga kompani të lidhura me të, çka ka ngritur dyshime për një mekanizëm të strukturuar qarkullimi parash.

Një nga rastet kryesore që po verifikohet lidhet me një hua prej rreth 50 milionë dollarësh, ku përfshihen shoqëria “Petraco Oil” dhe një entitet në Kanada. Në këtë marrëveshje, pala kanadeze figuron si huamarrëse, ndërsa “Bankers Petroleum Albania” si garantore.

Hetuesit dyshojnë se shlyerja e kësaj huaje është mbështetur në të ardhurat e gjeneruara nga aktiviteti në Shqipëri, duke krijuar një qark financiar mes kompanive të lidhura, që mund të ketë shërbyer për kanalizimin e fondeve jashtë vendit përmes huave formalisht të rregullta.

SPAK dyshon se kjo strukturë mund të jetë përdorur për të shmangur detyrimet tatimore dhe për të transferuar para në mënyrë të maskuar jashtë vendit.

Në kuadër të hetimeve janë marrë në pyetje rreth 10 persona, mes tyre inspektorë të hetimit tatimor, drejtues të bankave të nivelit të dytë dhe persona të lidhur me administrimin e kompanisë.

Ndërkohë, SPAK ka dërguar letërporosi në disa shtete, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Kanadanë, Zvicrën, Austrinë dhe Greqinë, për të gjurmuar lëvizjet e fondeve dhe për të verifikuar dyshimet mbi ekzistencën e transaksioneve të padeklaruara.