Hiqen ndalimet rutinë në rrugë, Policia kalon te radarët dhe dronët për kontrollin e shkeljeve

Një nga vendimet e para të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhet me riorganizimin e punës së Policisë Rrugore në të gjithë vendin.

Përmes një telegrami të shpërndarë në të gjitha drejtoritë vendore, Hita ka urdhëruar ndërprerjen e menjëhershme të ndalimeve rutinë të automjeteve me motivacionin “për verifikim”, një praktikë që, sipas tij, ka shkaktuar shqetësime te drejtuesit e mjeteve për mungesë baze të qartë ligjore dhe vonesa të panevojshme gjatë udhëtimit.

Urdhri, i cili ka hyrë në fuqi prej datës 10 prill, parashikon që shkeljet e qarkullimit rrugor të konstatohen kryesisht përmes pajisjeve teknologjike, si radarët për matjen e shpejtësisë në mënyrë automatike dhe përdorimi i dronëve për monitorim.

Në rastet kur situata kërkon verifikime në terren dhe ndërhyrje direkte ndaj drejtuesve të mjeteve, strukturat e Policisë Rrugore udhëzohen të hartojnë plane të qarta kontrolli, ku pikat e ndalimit do të drejtohen nga drejtuesit e sektorëve apo seksioneve përkatëse.

Ky ndryshim synon rritjen e efikasitetit në monitorimin e qarkullimit dhe shmangien e ndërhyrjeve të panevojshme ndaj qytetarëve në akset rrugore.