Përplasen 3 makina në autostradën Rrogozhine-Lushnje, një mjet bllokohet në barrierën metalik

Një aksident i rëndë është regjistruar paraditen e kësaj të diele në autostradën Rrogozhinë–Lushnjë, pranë fshatit Konjat.

Tre automjete janë përplasur me njëri-tjetrin, ku paraprakisht dyshohet se shkak ka qenë një manovër e gabuar parakalimi nga një prej mjeteve të përfshira. Si pasojë e përplasjes, dy automjete kanë pësuar dëmtime të lehta, ndërsa një mjet tip “Skoda” ka përfunduar i përplasur në barrierën metalike anësore, nga krahu i drejtuesit.

Drejtuesi i këtij mjeti ka mbetur i bllokuar brenda automjetit, duke bërë të nevojshme ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse të Lushnjës, të cilat, pasi mbërritën në vendngjarje, bënë të mundur nxjerrjen e tij. I riu, rreth 30 vjeç, është transportuar me urgjencë në spitalin e Lushnjës, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën, megjithëse ka pësuar disa thyerje në trup.

Në ndihmë kanë ardhur edhe kalimtarë të rastit, të cilët kanë kontribuar në spostimin e mjetit nga barriera metalike.