Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim shtetasin B.D., punonjës i policisë në Njësinë e Posaçme “Shqiponja”, i akuzuar për disa vepra penale të rënda.
Sipas organit të akuzës, ndaj tij rëndojnë akuzat për “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Shtytja e të miturit në krim”, të parashikuara nga nenet 283/1, 248 dhe 129 të Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr. 380 të vitit 2024, rezulton se punonjësi i policisë ka rekrutuar një të mitur, nxënësin me iniciale E.H., i cili ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe në kushte të vështira familjare e ekonomike. Fillimisht, sipas Prokurorisë, i mituri është përdorur për sigurimin e informacioneve policore, por më pas është shfrytëzuar për shitjen e lëndëve narkotike.
Prokuroria thekson se i pandehuri ka vepruar me dashje, duke shpërdoruar detyrën dhe duke cënuar interesat e shtetit, rendin publik si dhe duke dëmtuar të miturin e përfshirë në këtë aktivitet kriminal.
Në përfundim, organi i akuzës shpreh angazhimin për të vënë para përgjegjësisë ligjore çdo punonjës të shërbimit publik që përfshihet në veprimtari të paligjshme, veçanërisht kur preken siguria publike dhe të drejtat e fëmijëve.










