Gjykata e Tiranës ka vendosur të lirojë nga masa e arrestit personat e ndaluar lidhur me zjarrin e rënë në një kompleks pallatesh pranë QSUT, duke caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë u zhvillua paraditen e kësaj të premteje, ku para gjykatës u paraqitën disa persona të lidhur me ndërtimin dhe administrimin e godinës së përfshirë nga flakët.
Mes të proceduarve janë inxhinieri Enver Ademi, kontraktori i fasadës Altin Furtuna, administratori i objektit Agron Cara, si dhe menaxherja e një biznesi që operonte brenda pallatit, Razie Sula.
Avokatët e të dyshuarve kanë pretenduar gjatë seancës se zjarri mund të jetë shkaktuar nga fëmijë, një version që mbetet ende në kuadër të pretendimeve dhe nuk është konfirmuar nga hetimet.
Ngjarja e rëndë ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, ndërsa ka ngritur pikëpyetje mbi standardet e sigurisë dhe cilësinë e ndërtimit të objektit.
Autoritetet vijojnë hetimet për të përcaktuar shkaqet e zjarrit dhe përgjegjësitë konkrete të secilit prej të përfshirëve, ndërsa pritet që procesi të hedhë më shumë dritë mbi rrethanat e ngjarjes.










