7.9 mlrd € për rruget dhe hekurudhat,qeveria nxjerr strategjinë 2030 per integrimin ne rrjetin europian

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nxjerrë për konsultim publik Strategjinë Sektoriale të Transportit dhe Planin e Veprimit 2030, dokument që përcakton drejtimin e zhvillimit të sektorit për periudhën 2026–2030.

Strategjia synon modernizimin e sistemit të transportit dhe integrimin e tij në rrjetin evropian TEN-T, me fokus në krijimin e një sistemi më të qëndrueshëm, inteligjent dhe të sigurt. Për realizimin e këtij vizioni parashikohet një paketë investimesh prej rreth 7.9 miliardë euro.

Sipas dokumentit, fondet do të përqendrohen kryesisht në zhvillimin e infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore, si dhe në projektet që përmirësojnë lidhjet me korridoret kryesore rajonale dhe evropiane. Financimi pritet të vijë nga buxheti i shtetit, fondet e brendshme dhe mbështetja e donatorëve ndërkombëtarë.

Strategjia vendos si objektiva kryesore përafrimin e legjislacionit me atë të Bashkimit Evropian deri në vitin 2030, zhvillimin e rrjeteve prioritare dhe rritjen e lidhshmërisë ndërkufitare. Një tjetër fokus është promovimi i transportit të qëndrueshëm, përmes uljes së emetimeve dhe përdorimit të energjive alternative.

Po ashtu, dokumenti synon rritjen e sigurisë në transport, përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe forcimin e kapaciteteve institucionale. Në të përfshihet edhe digjitalizimi i sektorit përmes sistemeve inteligjente të transportit dhe rritja e rezistencës së infrastrukturës ndaj ndryshimeve klimatike.