Shqipëria do të përfshihet për herë të parë në prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake dhe civile, si dhe të dronëve, përmes një bashkëpunimi mes kompanisë shtetërore KAYO dhe dy kompanive private.
KAYO, e cila është përgjegjëse për prodhimin dhe tregtimin e armëve, do të marrë pjesë në krijimin e shoqërive të përbashkëta që do të fokusohen në prodhim, montim dhe riparim. Produktet do të jenë në shërbim të Forcave të Armatosura, strukturave të sigurisë dhe tregut civil.
Sa i përket prodhimit të dronëve, KAYO do të zotërojë të paktën 25% të aksioneve në shoqërinë e përbashkët. Ajo do të kontribuojë me pasuri të paluajtshme prej jo më pak se 1 000 m², ndërsa partneri privat do të investojë minimumi 30 milionë euro në tre vite, do të punësojë të paktën 35 persona dhe do të sigurojë teknologjinë e prodhimit dhe rrjetin e shpërndarjes për eksport.
Në rastin e mjeteve lundruese, KAYO do të ketë të paktën 40% të aksioneve. Aktiviteti do të zhvillohet në kantierin detar të Pashalimanit, ku do të vihen në dispozicion asetet ekzistuese, në një model të ngjashëm bashkëpunimi me Fincantieri-n.
Partneri privat do të sjellë njohuri teknike, teknologji, projekte, burime njerëzore dhe trajnime për stafin shqiptar, si dhe mbështetje për eksportin e produkteve.
Në të dyja rastet, administratori i shoqërive të përbashkëta do të përzgjidhet nga KAYO.










