Zjarri ne Tirane,arrestohet menaxherja e marketit dhe administratori i pallatit

Zjarri në kompleksin pranë “Farmacia 10” në Tiranë, arrestime dhe hetime për përgjegjësit

Pas ngjarjes së djeshme ku një zjarr i fuqishëm përfshiu një pallat në kompleksin pranë zonës “Farmacia 10”, në aksin e “5 Majit” përballë QSUT-së në Tiranë, policia ka ndërmarrë masa të menjëhershme.

Sipas burimeve, është arrestuar menaxherja e një subjekti tregtar (Big Market) që ndodhet në katet e poshtme të godinës, si dhe administratori i pallatit. Ndërkohë, është shpallur në kërkim Armand Lilo, administrator i kompanisë “Arlis”, i dyshuar në lidhje me përgjegjësitë administrative të objektit.

Zjarri ka shkaktuar alarm të madh në zonë, duke vënë në lëvizje shërbimet zjarrfikëse, policinë dhe strukturat emergjente. Në operacion për shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe forcat e ushtrisë, të cilat kanë ndihmuar në mbështetjen logjistike dhe sigurimin e zonës.

Si pasojë e tymit të dendur, katër persona — dy qytetarë dhe dy efektivë zjarrfikës — janë paraqitur në urgjencën e QSUT-së me shenja asfiksie dhe kanë marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.