Fier/Hyri per te grabitur një banesë, hajduti gjendet pa jetë brenda ambienteve të shtëpisë

Një ngjarje e pazakontë është regjistruar, ku një 40-vjeçar ka humbur jetën gjatë një tentative për të vjedhur në një banesë.

Sipas informacioneve paraprake, burri ende i paidentifikuar ka mbetur i bllokuar në dritare, ku gjysma e trupit i ka ngecur, duke i shkaktuar vdekjen.

Sipas dëshmisë së vëllait të kryefamiljarit, Nikollaq Lule, banesa trekatëshe i përket Uan Lules, i cili prej rreth një muaji ndodhet në Greqi pranë fëmijëve të tij.

Ka qenë fqinji, i cili kujdesej për banesën, ai që ka konstatuar trupin e pajetë të 40-vjeçarit në dritare dhe ka njoftuar menjëherë policinë.

Trupi i viktimës është transportuar në morgun e Fierit, ndërsa autoritetet vijojnë punën për identifikimin e tij dhe për zbardhjen e plotë të shkaqeve të vdekjes.