Goditet nga policia drejtimi në gjendje të dehur në Vlorë, disa të arrestuar dhe proceduar

Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë

Specialistët e Seksionit të Trafikut Urban dhe Interurban në DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit:
-G. M., 51 vjeç, banues në Sarandë, pasi në vendin e quajtur “Llaman”, në aksin rrugor Himarë–Borsh, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin K. K., 25 vjeç, banues në Himarë. Si pasojë e përplasjes, shtetasi K. K., është transportuar në Spital, në gjendje të rënduar shëndetësore.
-K. Z., 32 vjeç, banues në Vlorë, pasi në fshatin Nartë, duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur, ka goditur një automjet të parkuar dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit.
-G. X., 37 vjeç, banues në fshatin Gjashtë, Sarandë, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.

Po nga këta specialistë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin D. A., 31 vjeç, banues në Vlorë, pasi në rrugën “Pelivan Leskaj”, duke drejtuar automjetin, ka përplasur një shtetase 8-vjeçare, e cila mori mjekim në spital dhe më pas u largua. Shtetasi D. A. ka humbur kontrollin e mjetit, duke goditur gjithashtu edhe 2 automjete të parkuara.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Himarë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit Th. K., 68 vjeç, Xh. K., 69 vjeç dhe M. Th., 46 vjeç, banues në fshatin Kuç, pasi më datë 11.04.2026 kanë ndezur zjarr për pastrimin e tokës në pronësi të shtetasit M. Th., duke shkaktuar djegien e një sipërfaqeje toke.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Delvinë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin P. K., 72 vjeç, banues në Lefterhor, Delvinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike bashkëjetueses së tij.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin T. S., 45 vjeç, banues në fshatin Borsh, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim shtetasja L. A., e cila pretendon se më datë 10.04.2026, ky shtetas e ka ofenduar dhe kanosur në biznesin e saj në lagjen nr. 2, Sarandë.
Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal edhe për shtetasit I. Ç., 40 vjeç, banues në Sarandë dhe L. T., 37 vjeç, banues në fshatin Nivicë, Himarë, të cilët gjatë konfliktit kanë ndërhyrë në mbrojtje të shtetases L. A., duke i shkaktuar dëmtime të lehta shtetasit T. S.

Ditën e djeshme, rreth orëve të pasdites, nga shërbimi i urgjencës së Spitalit të Sarandës është konstatuar pa shenja jete, në banesën e tij, shtetasi L. H., 53 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Sarandë.

Në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune. Paraprakisht dyshohet se 53-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e përdorimit të lëndëve narkotike.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të ndërrimit të jetës.

Materialet procedurale iu referuan prokurorive kompetente për veprime të mëtejshme.