Rama: Deri në 2027 synojmë mbylljen e negociatave për anëtarësimin në BE
Kryeministri Edi Rama, gjatë një takimi me Asamblenë e Partisë Socialiste në Njësinë 12, u ndal te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian, duke theksuar se është vendosur një kalendar konkret për përmbylljen e negociatave.
Sipas tij, nëse vendi përmbush të gjitha detyrimet e përcaktuara, deri në fund të vitit 2027 mund të arrihet mbyllja e negociatave me BE-në.
Rama theksoi se vendimmarrja në Bashkimin Europian bazohet në konsensusin e 27 vendeve anëtare, por shtoi se aktualisht ekziston një vullnet i përbashkët për pranimin e Shqipërisë.
Ai u shpreh se hapja e të gjithë kapitujve të negociatave brenda 11 muajve është një arritje e paprecedentë, duke treguar progresin e bërë nga vendi në rrugën drejt integrimit.
Kryeministri nënvizoi se Shqipëria ndodhet në një pozicion shumë më të favorshëm krahasuar me të kaluarën, duke theksuar se është rritur besimi dhe respekti nga partnerët europianë, si dhe është përmirësuar situata ekonomike.
Megjithatë, ai theksoi se përmbushja e mbi 4 mijë detyrimeve të vendosura nga BE mbetet sfida kryesore për finalizimin e këtij procesi.










