Kryeministri Edi Rama njoftoi se qeveria synon të hyjë drejtpërdrejt në tregun e naftës përmes një kompanie publike, me objektivin për të garantuar çmime më të drejta për konsumatorët. Deklarata u bë gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste në njësinë nr.4 në Tiranë.
Sipas Ramës, kompania publike do të ketë rol aktiv në treg duke synuar vendosjen e një çmimi “real”, të bazuar mbi referencat e bursës ndërkombëtare, duke shmangur abuzimet dhe deformimet në treg.
Ai bëri të ditur gjithashtu se ligji i ri për rezervat e naftës është në proces konsultimi, ndërsa paralelisht po ndërmerren masa për formalizimin e tregut. Një nga këto masa është vendosja e një sistemi të ri për identifikimin e karburantit, përmes një ngjyruesi të ri kimik që, sipas tij, do të jetë i pamanipulueshëm.
Kryeministri theksoi se aktualisht një pjesë e tregut të naftës në Shqipëri operon jashtë kontrollit të plotë shtetëror, përfshirë edhe fenomenin e naftës tranzit që hyn në vend dhe më pas shitet në mënyrë të paligjshme brenda territorit.
Për të adresuar këtë problem, qeveria shqiptare po bashkëpunon me një kompani nga Emiratet e Bashkuara Arabe, ku shteti shqiptar mban shumicën e aksioneve, me synim monitorimin më efikas të qarkullimit të karburantit dhe rritjen e transparencës në treg.
Masat e paralajmëruara pritet të kenë ndikim në uljen e informalitetit dhe stabilizimin e çmimeve të karburanteve në vend.










