Kryeministri Edi Rama deklaroi në Asamblenë e Partisë Socialiste këtë të shtunë se ekonomia në vend ka shënuar përmirësime, duke reflektuar në rritjen e pagave si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat.
Ai theksoi se një tjetër prioritet i qeverisë mbeten pensionet, duke nënvizuar se synimi është rritja e tyre progresive çdo vit. Rama e lidhi zhvillimin ekonomik edhe me faktorë të jashtëm, duke përmendur ndikimin e krizave globale.
Duke u ndalur te çmimi i karburanteve, kreu i qeverisë u shpreh se rritja e naftës është ndikuar nga zhvillimet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Iran. Ai theksoi se situata të tilla janë përjetuar edhe më herët gjatë pandemisë dhe luftës në Ukrainë.
Sipas tij, qeveria ka ndërhyrë për të zbutur efektet e krizave, duke përmendur si shembull uljen e çmimit të energjisë në vend. Ndërkohë, Rama paralajmëroi ndryshime në tregun e naftës, ku shteti synon të luajë një rol më aktiv për të garantuar rezervat dhe për të ndikuar në stabilizimin e çmimeve.
Ai shtoi se janë në përgatitje edhe risi teknologjike që pritet të rrisin kapacitetet në këtë sektor.










