Mediat izraelite: 9 prilli si afat për fundin e luftës SHBA–Iran

Mediat izraelite raportojnë se Shtetet e Bashkuara kanë përcaktuar datën 9 prill si objektiv për përfundimin e luftës kundër Iranit. Lajmi është publikuar nga portali Ynet, i cili citon një zyrtar të lartë izraelit.

Megjithatë, deri më tani nuk ka konfirmime zyrtare nga Uashingtoni, ndërsa situata në terren mbetet e tensionuar dhe me zhvillime të shpejta.

Kanë kaluar rreth katër javë që nga nisja e konfliktit mes Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara kundër Iranit. Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se janë arritur marrëveshje mbi disa pika kryesore me Iranin, gjatë një komunikimi me gazetarët përpara nisjes drejt Memphis.

Ai njoftoi gjithashtu një pauzë pesë-ditore në sulmet ndaj infrastrukturës energjetike iraniane, duke e lidhur këtë vendim me kontakte që i cilësoi si “pozitive dhe produktive” dhe me diskutime në vijim për një zgjidhje të mundshme të konfliktit.

Nga ana tjetër, Teherani e ka hedhur poshtë këtë interpretim, duke mohuar çdo negociatë, të drejtpërdrejtë apo të tërthortë. Autoritetet iraniane e kanë cilësuar situatën si një tërheqje nga ana e SHBA-së, ndërsa Ministria e Jashtme ka theksuar se nuk do të ketë dialog pa u arritur më parë objektivat ushtarake.