Ekipi i Donald Trump përgatit kushte për negociata me Iranin

Administrata amerikane ka nisur diskutimet për fazën e ardhshme të marrëdhënieve me Iranin, duke përgatitur një paketë kërkesash që pritet të jenë thelbësore në çdo negociatë të mundshme paqeje.

Sipas raportimit të Axios, duke cituar burime zyrtare, SHBA-të synojnë të vendosin disa kushte kryesore ndaj Teheranit.

Kërkesat përfshijnë pezullimin për 5 vite të programit të raketave balistike, ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit dhe çmontimin e objekteve bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow.

Po ashtu kërkohet vendosja e një monitorimi të rreptë ndërkombëtar mbi aktivitetet bërthamore, arritja e marrëveshjeve rajonale për kontrollin e armëve me kufizim të raketave deri në 1000, si dhe ndërprerja e mbështetjes për grupe si Hezbollah, Hamas dhe Huthitët.

Burimet theksojnë se çdo marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, si dhe zgjidhjen e çështjes së rezervave të uraniumit të pasuruar.

Zyrtarët amerikanë vlerësojnë se presioni ka ndikuar në ngadalësimin e programit iranian dhe se ekziston mundësia për nisjen e negociatave. Një nga pikat që mund të diskutohet është edhe kthimi i aseteve të ngrira të Iranit.

Nga ana tjetër, Irani kërkon armëpushim, garanci që konflikti nuk do të përsëritet dhe kompensim për dëmet. Situata mbetet e ndjeshme dhe me ndikim të gjerë në rajon.