Një monedhë përkujtimore prej ari 24 karatësh, që mban imazhin e Donald Trump, është miratuar nga Komisioni i Arteve të Bukura në SHBA, anëtarët e të cilit votuan unanimisht për aprovimin e dizajnit. Vitin e kaluar, Trump shkarkoi anëtarët e këtij komisioni, duke i zëvendësuar me aleatë të tij.
Monedha synon të shënojë 250-vjetorin e SHBA-së më 4 korrik dhe paraqet Trump në një pozë të fortë, me grushtet të mbështetura mbi atë që duket si tavolina Resolute. Dizajni bazohet në një fotografi të realizuar nga fotografi kryesor i Shtëpisë së Bardhë për të.
Në pjesën e sipërme të monedhës është shkruar “LIBERTY”, ndërsa poshtë saj janë vendosur datat 1776–2026. Megjithatë, janë ngritur pikëpyetje mbi ligjshmërinë e saj, pasi ligji federal nuk lejon që një president në detyrë të shfaqet në valutën amerikane.
Një panel dypartiak më parë e ka refuzuar një ide të tillë, ndërsa kongresmeni demokrat nga Nju Jorku, Ritchie Torres, propozoi projektligjin “Trump Act” për të ndaluar presidentët të emetojnë valutë me portretin e tyre. Ky projektligj nuk është miratuar.
Nga ana tjetër, Sekretari i Thesarit, Scott Bessent, pritet të japë miratimin përfundimtar për prodhimin, pasi United States Mint të përcaktojë përmasat finale.
Sipas Megan Sullivan, drejtuesja në detyrë e menaxhimit të dizajnit në US Mint, Sekretari i Thesarit ka autoritetin për të autorizuar prodhimin dhe emetimin e monedhave.
Ndërkohë, arkëtari i SHBA-së, Brandon Beach, u shpreh se, në kuadër të 250-vjetorit, po përgatiten monedha që përfaqësojnë shpirtin e vendit, duke theksuar se nuk ka profil më përfaqësues për pjesën e përparme sesa ai i presidentit në detyrë.
Kritikët kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, duke e cilësuar si të shkëputur nga realiteti, ndërsa bëhet e ditur se monedha do të jetë pjesë e një prodhimi shumë të kufizuar, pa një numër të përcaktuar ende.










