Këtë të martë, çmimi i naftës me pakicë në vend ka arritur nivelin më të lartë që prej nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme.
Në pikat e karburantit në kryeqytet, nafta po tregtohet deri në 202 lekë për litër, nga 173-175 lekë që ishte përpara përshkallëzimit të situatës. Kjo përkthehet në një rritje prej rreth 29 lekësh për litër.
Rritja e çmimeve lidhet drejtpërdrejt me tensionet në tregjet ndërkombëtare të energjisë, të ndikuara nga zhvillimet gjeopolitike në Lindjen e Mesme, të cilat kanë sjellë pasiguri në furnizim dhe luhatje të forta në bursat e naftës.
Ekspertët paralajmërojnë se nëse situata vijon të mbetet e paqëndrueshme, çmimet mund të pësojnë rritje të mëtejshme në ditët në vijim, duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në koston e jetesës dhe sektorë të tjerë të ekonomisë.










