Rreth 40 mijë qytetarë që do të aplikojnë për pension nga 1 janari 2026 do të përfitojnë nga një mënyrë e re llogaritjeje të të ardhurave mujore, pasi Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka miratuar koeficientët e indeksimit.
Këshilli Administrativ i ISSH-së ka miratuar projektvendimin për koeficientin e indeksimit të bazës së vlerësuar të vitit 2024, i cili përdoret për përllogaritjen e pensioneve të reja. Vendimi synon që pensionet fillestare të reflektojnë më saktë kontributet e derdhura nga qytetarët gjatë viteve të punës.
Mbledhja u zhvillua nën drejtimin e kryetares së Këshillit Administrativ, Delina Ibrahimaj, ndërsa projektvendimi pritet të dërgohet për miratim edhe në Këshillin e Ministrave.
Sipas ISSH-së, indeksimi do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e bazës së vlerësuar për pensionet për qytetarët që plotësojnë moshën e daljes në pension gjatë vitit 2026.
Ky mekanizëm synon që pensionet e reja të jenë në përputhje me pagat e deklaruara dhe kontributet e paguara ndër vite, duke garantuar një përllogaritje më të drejtë dhe më transparente për përfituesit.
Instituti i Sigurimeve Shoqërore thekson se indeksimi është një detyrim ligjor dhe pjesë e reformave për përmirësimin e sistemit të sigurimeve shoqërore, me synimin për të rritur gradualisht edhe fuqinë blerëse të pensionistëve të rinj.
ISSH shton se mbetet i angazhuar për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe për garantimin e një procesi sa më të rregullt për aplikimin dhe lidhjen e pensioneve.










