Euro ka humbur pikë përballë monedhës tonë kombëtare, dhe në kursin zyrtar të Bankës Qendrore këmbehet me 96.1 lekë.
Rënia e monedhës Europiane është pjesë e një cikli më të gjerë të dobësimit të disa monedhave kryesore kundrejt lekut. Edhe dollari amerikan ka pësuar një rënie të mëtejshme, duke u këmbyer me 82.6 lekë, ose 0.3 lekë më pak se në përditësimin e mëparshëm. Ndërkohë, në të njëjtën linjë kanë lëvizur edhe dollari australian, dollari kanadez dhe juani kinez, të cilat gjithashtu kanë shënuar rënie të lehtë në raport me monedhën shqiptare.
Forcimi relativ i lekut është lidhur shpesh me disa faktorë, mes tyre rritja e hyrjeve valutore nga turizmi, investimet e huaja direkte, si dhe remitancat nga emigrantët.
Ky trend ka ndikime të ndryshme në ekonomi. Nga njëra anë, një euro më e dobët favorizon importet dhe ndihmon në frenimin e inflacionit, pasi produktet e importuara bëhen relativisht më të lira. Nga ana tjetër, zhvlerësimi i monedhës europiane mund të ndikojë negativisht te eksportuesit dhe sektorët që gjenerojnë të ardhura në euro, të cilët përballen me të ardhura më të ulëta në lekë.










