Kriza e krijuar nga tensionet në Lindjen e Mesme pritet të reflektohet menjëherë në tregun shqiptar të karburanteve, ku përfaqësues të Shoqatës së Hidrokarbureve paralajmërojnë një rritje me 20 lekë për litër brenda 2 ditëve. Po ashtu, ata parashikojnë një rritje maksimale deri në 30–40 lekë për litër në ditët në vijim, por shtojnë se këto çmime do të jenë provizore, në varësi të ecurisë së konfliktit.
Tregu i naftës në Shqipëria varet tërësisht nga importet, ndërsa parashikimet për një rritje deri në 30 – 40 lekë për litër bazohen jo vetëm në mbylljen e ngushticës së Hormuzit, ku kalon pothuajse 20 % e naftës së botës, por edhe me sulmet në rafineritë e Arabisë Saudite, duke sjellë rritje të kostove të importit dhe pasiguri për furnizimet ndërkombëtare.
Ndërkaq, përfaqësuesit e shoqatës shpjegojnë edhe arsyet se përse rritja e çmimit reflektohet menjëherë dhe nuk lidhet me rezervën e sigurisë. Sipas tyre rritja ndodh çdo ditë në çmimet me shumicë dhe është pikërisht kjo sasi që del në treg, çka bën që të aplikohet menjëherë edhe në çmimet me pakicë. Të njëjtit përfaqësues thonë se depozitat ndodhen në zona të lira ekonomike dhe janë të mbrojtura në bursë. “Depozitat janë fizike dhe jo në valutë. Aktivizimi i tyre në këtë moment mund të sjellë edhe falimentim të kompanive”, – shprehen përfaqësues të shoqatës.
Legjislacioni në fuqi përcakton se rezerva e sigurisë shërben për mbulimin e nevojave të konsumit kombëtar në periudha krize dhe situatash të jashtëzakonshme brenda territorit të vendit. Po ashtu, ligji specifikon se rafineritë e naftës dhe shoqëritë e tregtimit me shumicë të naftës, gazit natyror dhe nënprodukteve të tyre janë të detyruara të mbajnë rezerva sigurie, të barabarta me 30 ditë mesatare shitjeje, sasi që llogaritet duke u mbështetur në të dhënat dhe rezultatet faktike të veprimtarisë së vitit të mëparshëm.










