Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe pasiguria rreth qarkullimit të naftës po krijojnë lëkundje në tregjet ndërkombëtare të energjisë. Si pasojë, çmimet e naftës kanë shënuar rritje të menjëhershme, duke ushtruar presion mbi inflacionin.Sipas ekspertëve, ndikimi nuk do të kufizohet vetëm te çmimi i karburanteve, por do të shtrihet edhe në sektorë të tjerë të ekonomisë. Transporti, shërbimet tregtare dhe prodhimi pritet të preken më fort, pasi rritja e kostove do të transmetohet zinxhir në çmimet për konsumatorët.
Shqipëria, për shkak të varësisë së lartë nga importet e lëndëve djegëse, pritet të ndiejë pasoja indirekte në muajt në vijim, kryesisht në rritjen e inflacionit të përgjithshëm.
Ekspertët e ekonomisë theksojnë se shtrenjtimi i naftës do të ndikojë edhe në sektorin energjetik, pasi një pjesë e prodhimit të energjisë lidhet me përdorimin e saj. Në rast se vendi do të ketë nevojë për importe energjie, ato do të sigurohen me kosto më të lartë.
Nëse situata e tensionuar zgjat vetëm pak ditë, ndikimi pritet të jetë i kufizuar. Por nëse ndërprerjet zgjasin për më shumë se dy javë, atëherë mund të shfaqen problematika konkrete dhe rritje të ndjeshme të çmimeve.
Ndërkohë, çmimi i naftës Brent ka arritur në 78–80 dollarë për fuçi, duke shënuar rritje të fortë brenda ditës. Analistët paralajmërojnë se nëse tensionet përshkallëzohen dhe furnizimi global goditet për një periudhë të gjatë, çmimi i naftës mund të kalojë edhe nivelin e 100 dollarëve për fuçi.










