Protesta e opozitës/ 1300 efektivë në gatishmëri para godinës së Kryeministrisë

Mbrëmjen e sotme, rreth orës 18:00, opozita pritet të zhvillojë një protestë përpara godinës së Kryeministrisë, ndërsa autoritetet kanë rritur masat e sigurisë në zonë.

Policia e Tiranës ka njoftuar se tubimi nuk është autorizuar, ashtu si edhe protesta e mbajtur një javë më parë. Megjithatë, janë marrë masa për garantimin e rendit dhe shmangien e incidenteve gjatë zhvillimit të protestës.

Burime nga terreni bëjnë me dije se rreth 1300 punonjës policie janë vënë në gatishmëri pranë Kryeministrisë, në një kohë kur Partia Demokratike po përgatitet për nisjen e tubimit.

Në fokus të policisë mbetet mbrojtja e institucioneve shtetërore. Për këtë arsye, janë pozicionuar mjete antitubim, përfshirë autobotë me ujë, mjete zjarrfikëse dhe ambulanca, të cilat do të përdoren nëse situata e kërkon.

Në rast se protesta ndjek të njëjtin skenar si tubimet e mëparshme, autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë tensione, hedhje lëndësh piroteknike dhe akte dhune, çka ka diktuar edhe nivelin e lartë të gatishmërisë së forcave të rendit.