Skema Kombëtare e Mbështetjes në Bujqësi, aplikimet e së cilës pritet të hapen së shpejti, do të vijë këtë vit me ndryshime të rëndësishme. Në një konferencë për media, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, bëri të ditur se për herë të parë do të aplikohen grante të posaçme për të rinjtë që investojnë në sektorin e blegtorisë.
Sipas ministrit, të rinjtë dhe të rejat nga 18 deri në 35 vjeç do të përfitojnë mbështetje financiare në formë granti nga 7 deri në 10 mijë euro, për hapjen e bizneseve kryesisht në blegtori. Kjo masë synon përfshirjen aktive të të rinjve në një sektor të rëndësishëm për zhvillimin rural dhe rritjen e prodhimit vendas.
Nga ana tjetër, mbështetja për bletarinë do të dyfishohet, duke arritur në 2 mijë lekë për çdo koshere. Ministri theksoi se bletaria ka shënuar rritje të ndjeshme vitet e fundit, ku numri i koshereve është rritur nga mbi 300 mijë në vitin 2020, në mbi 600 mijë në vitin 2025. Synimi, sipas tij, është arritja e 1 milion koshereve në vitet në vijim. Përveç subvencionit për koshere, do të ofrohet edhe mbështetje prej 10% për çdo kilogram mjalti të prodhuar.
Në lidhje me fondet europiane, Salla njoftoi se brenda muajit qershor pritet të hapet programi IPARD III, i cili parashikon mbi 112 milionë euro nga Bashkimi Europian, ndërsa me bashkëfinancimin e qeverisë shqiptare buxheti total arrin në 147 milionë euro.
Ai shtoi se për vitin 2026, paketa e mbështetjes për fermerët përfshin edhe 5.2 miliardë lekë nga AZHBR, Garancinë Sovrane, si dhe fonde direkte për investime në bujqësi dhe blegtori.
Sa i përket sigurisë ushqimore, ministri bëri me dije se, përveç Urdhrit të Agronomit, do të ngrihen 7 laboratorë në të gjithë territorin e vendit për monitorimin e sigurisë ushqimore, ndërsa 5 pika kufitare do të pajisen me laboratorë për kontrollin e importeve dhe eksporteve.










