Në heshtje, pa zhurmë dhe pa protesta, Shqipëria po humbet çdo vit atë që asnjë ekonomi dhe asnjë reformë nuk mund ta zëvendësojë: njerëzit. Shifrat e fundit të INSTAT-it nuk janë thjesht statistika; ato janë pasqyra e një krize që po gërryen themelet e vendit.
Viti 2025 shënoi rekordin më të ulët të lindjeve në mbi tre dekada. Vetëm 21,425 foshnja erdhën në jetë, 74% më pak se në vitin 1990. Kjo nuk është më rënie, është kolaps demografik. Një vend që nuk lind më, është një vend që po përgatitet të mos ekzistojë.
Ndërkohë, të rinjtë po largohen me shpejtësi. Ikja nuk është më zgjedhje, por zgjidhje mbijetese. Kur një familje nuk sheh të ardhme për fëmijën e saj, ajo nuk planifikon lindje – planifikon largimin. Dhe kështu, cikli i shpopullimit përforcon vetveten.
Shtesa natyrore ende mbetet pozitive, por kjo është vetëm një iluzion statistikor. Diferenca mes lindjeve dhe vdekjeve po ngushtohet çdo vit. Sot janë +1,180, nesër mund të jenë zero. Pasnesër, negative. Kjo do të thotë se Shqipëria do të fillojë të tkurret edhe pa emigracion – një skenar dramatik.
Në anën tjetër, politika flet për rritje ekonomike, investime dhe integrim europian. Por çfarë vlere kanë këto nëse nuk ka më njerëz për t’i jetuar? Nuk ka ekonomi pa popullsi aktive, nuk ka shtet pa familje të reja, nuk ka të ardhme pa fëmijë.
Shqipëria nuk po humbet vetëm shifra. Po humbet energjitë, shpresën dhe vazhdimësinë. Dhe kjo krizë nuk zgjidhet me slogane apo premtime boshe, por me politika reale për punësim, strehim, arsim, shëndetësi dhe siguri sociale.
Nëse kjo prirje nuk ndalet, nuk do të na duhet të pyesim se pse po ikin shqiptarët, por kë do të gjejë Shqipëria nesër për të qëndruar










