Qeveria shqiptare ka sqaruar se heqja e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën TikTok vjen si rezultat i një rivlerësimi institucional dhe i adresimit konkret të shqetësimeve që lidhen me sigurinë publike, sociale dhe digjitale, veçanërisht për fëmijët dhe të rinjtë.
Masa, e miratuar nga Këshilli i Ministrave në mars 2025, ishte konceptuar si një ndërhyrje parandaluese, me qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe menaxhimin e rreziqeve të evidentuara në atë periudhë. Sipas qeverisë, kjo ndërhyrje shërbeu gjithashtu për të hapur një dialog të drejtpërdrejtë dhe konstruktiv me përfaqësuesit e TikTok, duke krijuar bazën për mekanizma të rinj sigurie që më parë nuk ekzistonin.
Sot, autoritetet shqiptare janë në partneritet me TikTok, për zbatimin e:
- filtrave mbrojtës përmes fjalëve kyçe,
- kontrolleve të përmbajtjes,
- mekanizmave më efikasë për raportimin dhe trajtimin e shkeljeve.
Vendimi shënon kalimin nga masa kufizuese në një fazë monitorimi aktiv, bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përgjegjësie të përbashkët me platformat digjitale.
Paralelisht, po hartohet një plan kombëtar komunikimi dhe ndërgjegjësimi, i fokusuar te fëmijët, të rinjtë, prindërit dhe mësuesit, për përdorimin e sigurt dhe të përgjegjshëm të rrjeteve sociale.
Qëllimi, sipas qeverisë, është ndërtimi i një kulture sigurie në hapësirën online, duke garantuar njëkohësisht lirinë e aksesit dhe mbrojtjen reale të të rinjve.










