Ndryshon skema e subvencioneve në bujqësi

Skema e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026 pritet të pësojë ndryshime të rëndësishme, teksa fondi i parashikuar arrin në 5.2 miliardë lekë. Ky buxhet është ndjeshëm më i lartë krahasuar me fondet fillestare të vitit 2025 dhe tashmë ka nisur puna për hartimin e masave të reja, të cilat pritet të miratohen gjatë muajit të ardhshëm.

Në kuadër të këtij procesi, Ministria e Bujqësisë ka nisur konsultime në terren me fermerët në të gjithë vendin, me synimin që skema e re të reflektojë më mirë nevojat reale të sektorit dhe të rrisë efektivitetin e mbështetjes për prodhimin vendas.

Zv.ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Fatmir Guri, bëri të ditur se fondi prej 5.2 miliardë lekësh do të fokusohet kryesisht në mbështetjen e investimeve në bujqësi. Sipas tij, ministria ndodhet në një fazë të rëndësishme pune dhe do të vijojë takimet me fermerët në të gjitha qarqet për të adresuar kërkesat dhe problematikat e tyre.

Një nga çështjet që po diskutohet është edhe mundësia e mbështetjes për njësi prodhimi, një model i aplikuar në disa vende të rajonit dhe që prej kohësh është kërkuar nga shoqatat e fermerëve në Shqipëri. Autoritetet bëjnë me dije se vendimmarrja për këto elemente do të merret pasi të jenë dëgjuar të gjithë aktorët në terren dhe të jenë analizuar pritshmëritë e tyre.

Për kujtesë, fondi fillestar i Skemës Kombëtare të Mbështetjes në Bujqësi për vitin 2025 ishte 3.2 miliardë lekë, ku fermerët përfituan pagesa direkte për naftën si dhe mbështetje financiare për shtatë skema të tjera, sipas kritereve të përcaktuara.