Stenda e Shqipërisë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit FITUR 2026, në Madrid, Spanjë, ka tërhequr interes të lartë nga vizitorë dhe operatorë turistikë nga vende të ndryshme të botës, duke reflektuar rritjen e vëmendjes ndërkombëtare ndaj Shqipërisë si destinacion turistik. Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, zhvilloi një takim miqësor me ministrin e Industrisë dhe Turizmit të Spanjës, Jordi Hereu i Boher, ku u diskutuan zhvillimet më të fundit në sektorin e turizmit, si dhe mundësitë për shkëmbimin e përvojave dhe modeleve të suksesshme mes dy vendeve.
Gjatë takimit, palët u ndalën në forcimin e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, përfshirë turizmin e qëndrueshëm, promovimin e destinacioneve kulturore, diversifikimin e ofertës turistike dhe zgjatjen e sezonit turistik.
Në këtë kontekst, u theksua potenciali në rritje i Shqipërisë si destinacion turistik. Gjithashtu, u vlerësua rëndësia e partneriteteve institucionale dhe të biznesit për nxitjen e investimeve dhe ndërtimin e bashkëpunimit afatgjatë.
Ndërkohë, në këtë panair në stendën shqiptare prezantohen destinacionet kryesore turistike të vendit, vlerat e trashëgimisë kulturore, si dhe produktet tradicionale, të cilat përfaqësojnë një pjesë të rëndësishme të ofertës turistike kombëtare. Ky prezantim synon të pasqyrojë diversitetin e Shqipërisë dhe potencialin e saj për zhvillimin e turizmit gjatë gjithë vitit.
Ky panair mbetet një platformë kyçe për dialogun dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e turizmit.










