Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetin social X pas protestës kombëtare të opozitës, duke dënuar aktet e dhunës dhe shkatërrimin e pronës publike gjatë përplasjeve. Rama shprehu gjithashtu solidaritet me punonjësit e Policisë së Shtetit që u plagosën gjatë protestës.
Në reagimin e tij, kreu i qeverisë theksoi se protesta është një e drejtë demokratike, por sipas tij, dhuna e organizuar dhe sulmet ndaj institucioneve nuk kanë asnjë lidhje me lirinë e shprehjes.
“Ka në Europë protestues, anarkistë, ekologjistë, ekstremistë të djathtë a të majtë, studentë, anti-globalistë, tifozë huliganë, grupime lloj-lloj që dalin në rrugë për arsyet e tyre, maskohen, armatosen me molotovë dhe thyejnë e djegin, duke plagosur punonjës policie e shkatërruar prona.
Po qysh nga koha e partive famëkëqia të 100 vjetëve më parë në Gjermani e Itali, ka vetëm një parti parlamentare në Europë, që të ketë në programin e aktivitetit të saj si pjesë të pandarë të ekzistencës së vet qysh nga lindja, ushtrimin e dhunës, shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj godinave të institucioneve, deri edhe ndaj godinës së vet, mobilizimin e paramilitarëve, të cilët deri dje ishin çeta e liderit shpirtëror, kurse tanimë janë thjesht mercenarë të rekrutuar me lekë nga rrugaçët e lagjeve, që veshin maska apo fshehin fytyrën pas tabelave për të mbaruar punë me hedhjen e molotovëve pa u identifikuar nga kamerat!
Tanimë këto farë protestash me pisllëkun që krijojnë në bulevard, ngjajnë si jashtëderdhja në rrugë e plakut të lajthitur që i organizon… Degjenerim i pandalshëm dhe dëshpërim i pangushëllueshëm!
Të shkuara punonjësve të policisë që u plagosën e lënduan nga kjo lukuni e verbër”, shkroi Rama.










