Rama ironizon akuzat e opozitës: Mos e lini Latifin, ua kthen humbjen në fitore

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone ironike ndaj akuzave dhe denoncimeve të opozitës, duke komentuar figurat dhe qëndrimet e saj gjatë debatit politik në Kuvend.

Duke iu referuar Latifit dhe një kongresmeni amerikan, Rama u shpreh se opozita po përpiqet të ndërkombëtarizojë akuzat ndaj qeverisë përmes lobimeve dhe denoncimeve në SHBA. Ai ironizoi pretendimet se Kongresi Amerikan do të merrej me çështje që lidhen me AKSHI-n, duke i krahasuar ato me “amendamentet e Nard Ndokës në projektligjet e PS”.

“Thuajini Latifit t’ia thotë të gjitha atij kongresmenit që e ka në xhep, që i merr nga ju e i lexon atje”, u shpreh Rama, duke shtuar se lidhjet mes Kongresit Amerikan dhe këtij personazhi janë minimale dhe pa ndikim real.

Kryeministri nuk la pa komentuar as çështjen e shpalljes së tij “non grata”, duke e cilësuar atë si një temë që opozita po përpiqet ta përdorë politikisht. Sipas Ramës, kjo çështje është ngritur në mënyrë të qëllimshme për të krijuar një klimë tensioni dhe për të justifikuar bllokimet dhe përplasjet në Kuvend.

Në fund të reagimit të tij, Rama përdori edhe një shprehje ironike, duke cituar “Kur s’të vjen zor ty, pse të më vijë mua”, për të theksuar, sipas tij, hipokrizinë dhe standardet e dyfishta të kundërshtarëve politikë.