Seancë vendimtare në Kushtetuese për Ballukun, GJKKO nuk do te jete e pranishme

Tiranë – Këtë të enjte, Gjykata Kushtetuese pritet të zhvillojë seancën për çështjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, në një përplasje të fortë institucionale mes Kryeministrisë, SPAK dhe Gjykatës së Posaçme.

Në ambientet e Gjykatës Kushtetuese kanë mbërritur dy prokurorët e çështjes, ndërsa SPAK është në pritje të shqyrtimit nga Kuvendi të kërkesës së depozituar për autorizimin e arrestimit të zv/kryeministres Balluku.

Nga ana tjetër, Kryeministri ka kërkuar në Kushtetuese zgjidhjen e konfliktit të kompetencave me Gjykatën e Posaçme (GJKKO) dhe Prokurorinë e Posaçme, lidhur me veprimet procedurale ndaj anëtares së qeverisë.

Në prag të seancës, GJKKO ka reaguar zyrtarisht duke bërë të ditur se nuk do të dërgojë përfaqësues në këtë proces, duke argumentuar se nuk mund të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues me kërkues Kryeministrin e Republikës.

“Në një shtet demokratik të së drejtës, të bazuar në parimin e sundimit të ligjit dhe të ndarjes së pushteteve, një gjykatë nuk mund të thirret dhe as të legjitimohet si palë në një gjykim kushtetues për të bërë parashtrime apo për të mbrojtur një vendim të dhënë prej saj,” thuhet në njoftimin e GJKKO-së.

Gjykata e Posaçme thekson se pjesëmarrja e saj në këtë proces do të cenonte parimin e ndarjes së pushteteve dhe pavarësinë e brendshme të pushtetit gjyqësor.

Seanca në Gjykatën Kushtetuese pritet të jetë vendimtare për ecurinë e çështjes penale ndaj zv/kryeministres Balluku dhe për balancat institucionale mes qeverisë dhe drejtësisë.