Autostrada Elbasan–Lekaj: Gati hapja e katër tenderëve për ndërtimin e 21 kilometrave të mbetur

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) pritet të hapë katër procedura prokurimi për ndërtimin e segmentit të mbetur të autostradës Elbasan–Lekaj, konkretisht nga Pajova e Peqinit deri në Rrogozhinë, pjesë e rëndësishme e Korridorit VIII.

Burime nga ARRSH bëjnë me dije se projekti teknik për këtë segment është përfunduar dhe miratuar, ndërsa aktualisht pritet vetëm çelja zyrtare e procedurave të tenderimit. Katër kontratat e reja do të përmbyllin ndërtimin e aksit nga ish-Metalurgjiku në Elbasan deri në drejtim të qytetit të Rrogozhinës.

Aksi rrugor Elbasan–Lekaj ka një gjatësi totale prej 40.7 kilometrash dhe përshkon ultësirën e luginës së lumit Shkumbin, duke kaluar në disa njësi administrative të qarqeve Elbasan, Peqin dhe Kavajë. Aktualisht, puna po vijon në gjashtë lote që mbulojnë rreth 20 kilometra të këtij aksi, ndërsa katër tenderët e rinj do të mbulojnë ndërtimin e rreth 21 kilometrave të mbetur.

Në gjendjen ekzistuese, rruga kalon përgjatë anës veriore të lumit Shkumbin deri në dalje të qytetit të Peqinit dhe vijon në zonën fushore drejt Rrogozhinës, ku realizohet edhe lidhja me korridorin Veri–Jug, në zonën e njohur si “Bishti i Zhurit”.

Sipas afateve kontraktuale, 20 kilometrat e parë të këtij aksi pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti. Autoritetet e konsiderojnë këtë afat të realizueshëm, pasi ecuria e punimeve është sipas planifikimit dhe deri më tani nuk janë hasur problematika me procesin e shpronësimeve.