Investimi i Kompanise Amerikane per parkun EOLIK, hap strategjik për pavarësinë energjetike të Shqipërisë

Ministrja e Energjisë dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, ka ndarë në rrjetet sociale një postim ku vlerëson një tjetër projekt madhor për sistemin energjetik shqiptar: ndërtimin e parkut eolik në Tropojë me kapacitet 600 MW, nga kompania amerikane CWP, një nga aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë në fushën e energjive të rinovueshme.

Në ceremoninë e dhënies së autorizimit për këtë investim strategjik, të zhvilluar në praninë e Kryeministrit Edi Rama, u theksua rëndësia që ka përfshirja e një kompanie amerikane me eksperiencë dhe reputacion global në projekte eolike dhe energji të pastër.

“Për herë të parë Shqipëria do të prodhojë energji edhe nga era, duke shtuar një burim të ri në hartën tonë energjetike dhe duke diversifikuar kapacitetet prodhuese”, shprehet Balluku në postimin e saj, duke theksuar se investimi i CWP është dëshmi e besimit të investitorëve strategjikë amerikanë te Shqipëria.

Sipas ministres, ky projekt përbën një hap të rëndësishëm drejt objektivit kombëtar

“Shqipëria, vend eksportues neto i energjisë deri në vitin 2030”, duke forcuar pavarësinë energjetike, sigurinë e furnizimit dhe pozicionin e vendit në tregun rajonal të energjisë.

Projekti i parkut eolik në Tropojë pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik lokal, krijimin e vendeve të reja të punës dhe përshpejtimin e tranzicionit drejt energjive të rinovueshme, me mbështetjen e një partneri strategjik si kompania amerikane CWP.