Situata hidrike në Qarkun Fier paraqitet aktualisht e qëndrueshme, por nën monitorim të vazhdueshëm nga strukturat e emergjencave civile. Sipas informacionit zyrtar të orës 08:00, datë 12 janar 2026, nuk raportohet asnjë dëmtim i infrastrukturës kritike, ndërsa akset nacionale dhe rurale janë të kalueshme normalisht. Furnizimi me energji elektrike dhe ujë të pijshëm vijon pa probleme, ndërkohë që hidrovoret janë në gjendje pune dhe në gatishmëri të plotë.
Sa i përket lumenjve, prurjet në lumin Vjosë janë në kuota normale për këtë periudhë, me tendencë në ulje, ndërsa lumi Shkumbin është tërhequr brenda shtratit të tij.
Ndryshe paraqitet situata në lumin Seman, ku prurjet mbeten të larta përgjatë gjithë argjinaturës nga Lushnja, Roskoveci, Patosi dhe Fieri deri në grykëderdhje. Edhe pse lumi është tërhequr nga banesat dhe rrugët në fshatin Murriz (Njësia Administrative Fiershegan, Bashkia Lushnjë), vijojnë të jenë të përmbytura qindra hektarë tokë bujqësore brenda argjinaturave në zonat Lushnjë, Roskovec–Patos dhe Fier.
Në fshatin Mbrostar, Bashkia Fier, uji ka përmbytur disa kasolle bagëtish dhe depozita bari të ndodhura brenda argjinaturës, ndërsa në fshatin Petov raportohet prezencë uji në oborrin e një banese. Autoritetet bëjnë me dije se rreziku nuk është larguar ende për zonat e banuara përgjatë lumit Seman, konkretisht në fshatrat Belinë, Kallm, Mbrostar, Mujalli, Gërçalli dhe Petov.
Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin në terren dhe mbeten në gatishmëri për çdo zhvillim të mëtejshëm të situatës.










