Tiranë-Durrës, korsitë e reja hapen këtë muaj 

“Korsitë e reja të autostradës Tiranë – Durrës, në segmentin që nis pas kthesës së Kamzës dhe përfundon te mbikalimi i Rinasit parashkohet të hapen për qarkullimin e automjeteve brenda muajit janar”. Gjithçka u bë me dije nga përgjegjësi i Manaxhimit të Kontratave, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar Gëzim Noni

“Si kontrata pritet të hapen për qarkullim të lirshëm të automjeteve shumë shpejt, pavarësisht se njëra prej tyre e ka afatin deri në maj të këtij viti që sapo ka filluar dhe tjetra e ka në shtator të këtij viti. Por, për qarkullimin do të jenë të hapura shumë më përpara. Kuptohet duke bërë pjesën tjetër të përfundimit të punimeve, që nuk lidhen me trafikun. Nuk dua t’ju rrit pritshmëritë njerëzve, pasi janë sensitivë te kjo, por ne pretendojmë që brenda muajit që jemi të ndodhë kjo gjë. Sigurisht që do të varet shumë nga koha sepse një mot i ftohtë nuk e favorizon shtresën e asfaltit të fundit që ka ngelur sepse duke qenë me një trashësi relativisht të vogël është e ndjeshme ndaj temperaturave dhe lagështirës nëse do të kemi”, – tha Noni.

Noni foli edhe për fazën e tretë të punimeve, që përfshin ndërtimin e nyjes që lidh rrugën e Laknasit me autostradën e zgjeruar, një zonë e karakterizuar nga zhvillim i lartë industrial dhe urban.

“Aktualisht që po flasim ka hyrë në zbatim edhe faza e tretë e këtij segmenti, i cili ka një pjesë të punimeve që duhet të përfshiheshin tek 2 të parat dhe vazhdimin deri tek ura e Limuthit, që shkon më tutje se dy lotet e para. Kontrata e tretë është nënshkruar gjatë 3-mujorit të fundit të vitit 2025 kështu që është në fillimet e veta, por që shpresojmë që brenda vitit që jemi do të kemi rezultate konkrete të saj”, – u shpreh Noni.

Ndërkaq, hapja për qarkullim e segmentit nga kthesa e Kamzës, deri në mbikalimin e Rinasit pritet të sjellë një përmirësim të trafikut, që në këtë zonë është tejet problematik.

“Në këtë drejtim presim shumë sepse është pjesa që është dalja kryesore e Tiranës në drejtim të veriut dhe veriperëndimit. Dalja e saj korrespondon me degëzimin e Rinasit, korrespondon me lidhjen e autostradës Thumanë – Kashar, një aks shumë i rëndësishëm i vënë në qarkullim kohët e fundit, vazhdimin për në Durrës dhe këtu bëhet një ndarje e trafikut, që del nga Tirana, që degëzohet të paktën në tre drejtime”, – tha Noni.

Pas përfundimit, autostrada do të ketë 8 korsi në total, nga 4 në secilin drejtim, ndërsa shpejtësia e lejuar do të variojë nga 90 -140 km në orë.

SCAN-Tv -Inside News