Bashkia Roskovec po vlerësohet si një shembull pozitiv i menaxhimit të situatave emergjente, pasi pavarësisht reshjeve të dendura të shiut dhe prurjeve të shtuara të ujit, dëmet në tokat bujqësore kanë qenë minimale.
Sipas burimeve vendore, kjo situatë është përballuar falë masave parandaluese të marra në kohë, përfshirë pastrimin e kanaleve kulluese gjatë periudhës së verës, mirëmbajtjen e vazhdueshme të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, si dhe serviset periodike të pompave në periudhat e pushimit.
Autoritetet lokale bëjnë me dije se edhe hapjet e portave të hidrocentralit të Banjës nuk kanë sjellë pasoja të konsiderueshme në territorin e Bashkisë Roskovec, për shkak të funksionimit normal të sistemit kullues.
Ky model menaxhimi, sipas Bashkisë, reflekton një qasje parandaluese dhe vizion afatgjatë në mbrojtje të bujqësisë dhe ekonomisë lokale, duke minimizuar ndikimin e kushteve të pafavorshme atmosferike.
Bashkia Roskovec është gjithashtu një nga njësitë vendore që ka përfituar fonde nga programet IPA dhe projekte të tjera ndërkombëtare, të investuara në qendra trajnimi për komunitetin, ngritjen e strukturave të bashkëpunimit sipas modelit të Bashkimit Europian, si dhe në përditësimin e kadastrës bujqësore.
Autoritetet vendore theksojnë se ky model menaxhimi mund të shërbejë si praktikë e mirë edhe për bashki të tjera të vendit.










