Çmimi i vajit të ullirit rritet me 11% këtë sezon, prodhimi bie ndjeshëm në shumë zona të vendit
Prodhimi i ullirit ka rënë ndjeshëm këtë vit në shumë prej zonave kryesore të kultivimit, duke shkaktuar rritje të çmimit të vajit të ullirit dhe vështirësi në tregtinë me jashtë. Fermerët raportojnë se sasia e ullinjve është deri në 50% më e ulët krahasuar me një vit më parë, kryesisht për shkak të thatësirës së verës dhe mungesës së mekanizimit në ullishte.
Në Elbasan dhe Gramsh, përpunuesit po grumbullojnë vajin me rreth 700 lekë për litër, nga 620–630 lekë që ishte një vit më parë, duke reflektuar një rritje çmimi deri në 11%. Situata pritet të ndikojë edhe në tregun me pakicë në javët e ardhshme.
Nga ana tjetër, përpunuesit thonë se vaj i ullirit shqiptar ka humbur konkurrueshmërinë në tregun e jashtëm, pasi çmimet në vendet fqinje janë dukshëm më të ulëta. Në Greqi dhe Spanjë, çmimet e grumbullimit qëndrojnë nën 5 euro për litër, duke bërë që tregtia me Greqinë pothuajse të ndalet, ndërsa blerësit italianë nuk janë më të pranishëm në tregun shqiptar.
Edhe në zonën e Dumresë, kërkesat e fermerëve prej 600–650 lekësh për litër konsiderohen të papërballueshme për grosistët italianë, të cilët ofrojnë rreth 450 lekë për litër në tregun ndërkombëtar.
Sipas përpunuesve, kostot e larta të prodhimit – nga pagat, tek mungesa e mekanizimit dhe mbështetjes financiare – kanë bërë që Shqipëria të dalë jashtë gare me vendet e Bashkimit Europian. Ndërsa në Greqi fermerët përfitojnë deri në 1 euro subvencion për litër, në Shqipëri mungesa e një skeme të tillë e rrit ndjeshëm koston e prodhimit.
Për pasojë, vaji vendas rrezikon të mbetet në stok, pasi eksportet janë tkurrur dhe tregu vendas mund të mos arrijë të thithë të gjithë sasinë e prodhuar këtë sezon.











