Ballina Aktualitet Federica Mogherini arrestohet në Bruksel, nën hetim për mashtrim dhe korrupsion në...

Federica Mogherini arrestohet në Bruksel, nën hetim për mashtrim dhe korrupsion në kontratat e BE-së

Federica Mogherini, ish-Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Europian për Politikën e Jashtme dhe aktualisht Rektore e Kolegjit të Evropës, është ndaluar nga autoritetet belge si pjesë e një hetimi për mashtrim dhe korrupsion, raportojnë mediat prestigjioze belge Le Soir dhe De Standaard.

Sipas këtyre burimeve, gjatë ditës së sotme policia belge ka kryer kontrolle në Shërbimin e Veprimit të Jashtëm të BE-së (EEAS) në Bruksel, si dhe në disa ndërtesa të Kolegjit të Evropës në Bruges. Hetimi lidhet me mënyrën se si Kolegji i Evropës ka fituar një kontratë për organizimin e një programi trajnimi nëntëmujor për diplomatët e rinj europianë, të njohur si Akademia Diplomatike e BE-së.

Autoritetet po hetojnë dyshimet për favorizim, konkurrencë të padrejtë, mashtrim në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi dhe shkelje të sekretit profesional. Faktet e pretenduara i përkasin periudhës 2021–2022.

Nga operacioni janë ndaluar gjithsej tre persona, mes tyre edhe Mogherini, sipas raportimeve të Le Soir. Deri në këto momente, Prokuroria Federale belge nuk ka dhënë ende një deklaratë publike që të konfirmojë zyrtarisht emrat e të arrestuarve, ndërsa as Mogherini dhe as institucionet e BE-së nuk kanë reaguar.

Hetimi pritet të zgjasë dhe të sjellë zhvillime të tjera, ndërsa pritet deklarata zyrtare e autoriteteve belgë.