Këshilli Kombëtar i Territorit (KKTU), në mbledhjen e datës 29 shtator, ka dhënë miratimin për një total prej 302 MW kapacitet të ri të instaluar nga impiante fotovoltaikë të pavarur, të cilët do të operojnë në tregun e lirë, pa mbështetje financiare nga qeveria.
Projekti më i madh pritet të ndërtohet në Bashkinë Kolonjë, me një fuqi prej 62 MW, i zhvilluar nga kompania “Fortis Energy & Construction”, ndërsa një tjetër impiant me kapacitet 30 MW do të ngrihet në Fier.
Gjithashtu, disa kompani si “Erseka Solar” janë duke zgjeruar projektet ekzistuese me lote të rinj që tashmë janë në fazë prodhimi.
Rritje e kapacitetit të energjisë diellore
Në total, janë miratuar 13 projekte fotovoltaike, me kapacitete që variojnë nga instalime të vogla prej 2 MW deri në parqe të mëdha prej dhjetëra megavatësh.
Një pjesë e tyre do të përfitojnë çmim të rregulluar nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) dhe do ta shesin prodhimin e tyre tek shteti, ndërsa pjesa tjetër do të operojë si prodhues të pavarur në tregun liberal të energjisë.
Këto zhvillime pritet të rrisin ndjeshëm furnizimin me energji të pastër dhe të përshpejtojnë diversifikimin e burimeve energjetike, një objektiv strategjik për Shqipërinë në vitet në vijim.
Aktualisht, impianti më i madh fotovoltaik në prodhim në vend është ai i Karavastasë me kapacitet 140 MW, që mbetet një nga projektet kryesore të energjisë së rinovueshme në rajon.
Objektivat afatmesëm për diversifikim
Megjithëse pesha e energjisë diellore në totalin e prodhimit kombëtar mbetet ende e kufizuar, ritmi i miratimeve të reja tregon një trend të qëndrueshëm zgjerimi.
Në një periudhë afatmesme, këto investime pritet të ndihmojnë në krijimin e një ekuilibri më të qëndrueshëm midis burimeve ujore dhe atyre diellore, duke reduktuar varësinë nga kushtet klimatike dhe duke rritur sigurinë energjetike të vendit.
Lista e projekteve të miratuara
- Gramsh – “Glow Solar” sh.p.k., 29.13 MW
- Gramsh – “Voltz Solar” sh.p.k., 15.2 MW
- Ersekë – “Erseka Solar Park 3 Lot 1” sh.p.k., 42.315 MW
- Ersekë – “Erseka Solar Park 3 Lot 2” sh.p.k., 21.21 MW
- Himarë (Porto Palermo) – “Sea Solar Energy” sh.p.k., 2 MW
- Bulqizë – “Gjorica Solar Park” sh.p.k., 40 MW
- Fier – “Power Energy” sh.p.k., 25 MW
- Elbasan – “G.A.C” sh.p.k., 2 MW
- Fier – “Gemtech Solar Park” sh.p.k., 10 MW
- Fier – “Dion Energji” sh.p.k., 2 MW
- Kolonjë – “Fortis Energy & Construction” sh.p.k., 62 MW
- Fier – “EZ-5 Solar Park 2” sh.p.k., 30 MW
- Fier – “Prosol Solar” sh.p.k., 21 MW











