Ballina Shqiperia ime Tirana bashkë me Fierin dhe Vlorën rrisin peshën në strukturën e PBB-së

Tirana bashkë me Fierin dhe Vlorën rrisin peshën në strukturën e PBB-së

Shqipëria vijon të rritet ekonomikisht, por jo në mënyrë të barabartë. Ndërsa kryeqyteti përjeton një bum ekonomik dhe mban gjysmën e rritjes së përgjithshme të vendit, disa qarqe të tjera po lëvizin me ritme shumë më të ngadalta, duke thelluar ndarjen mes “Shqipërisë së zhvilluar” dhe asaj që mbetet pas. Të dhënat e fundit të INSTAT për Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB) sipas rajoneve statistikore për periudhën 2000–2023 zbulojnë jo vetëm rritjen ekonomike të qëndrueshme, por edhe një përqendrim gjithnjë e më të madh të aktivitetit ekonomik në zonën e Tiranës dhe Durrësit.

Tirana, gjeneratori kryesor i rritjes

Në vitin 2023, ekonomia shqiptare u rrit me 4.02% në terma realë, ndërsa PBB-ja kombëtare me çmime korrente arriti në 2.36 trilionë lekë. Këtë rritje e mbajti kryesisht Qarku i Tiranës, me një kontribut prej 2.06 pikë përqindje, që përbën gati gjysmën e gjithë rritjes së vendit. Pas saj renditen Fieri (0.43 p.p.) dhe Durrësi (0.42 p.p.), që tregojnë rëndësinë e aksit qendror dhe perëndimor për ekonominë shqiptare.

Në kahun tjetër, Kukësi me (0.04 p.p.), Dibra me (0.06 p.p.) dhe Gjirokastra me (0.07 p.p.) dhanë kontributet më të ulëta, duke reflektuar mungesën e investimeve dhe aktivitetit ekonomik në këto zona.

Rajonet dhe pesha e tyre në ekonomi

Sipas të dhënave mbi peshën e qarqeve në Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB), vërehet një përqendrim i lartë ekonomik në Tiranë, e cila përfaqëson rreth 43.86% të PBB-së kombëtare, një tregues i qartë i rolit dominues të kryeqytetit në ekonominë e vendit. Pas saj renditen qarqet Fier me 10.57% dhe Durrës me 10.32%, të cilat përbëjnë qendra të rëndësishme industriale dhe tregtare. Elbasani (6.2%) dhe Vlora (6.07%) kontribuojnë gjithashtu ndjeshëm, duke reflektuar një prani të konsiderueshme ekonomike në rajonet qendrore dhe bregdetare. Qarqet Shkodër (5.04%) dhe Korçë (4.85%) kanë një peshë të moderuar, ndërsa Berat, Lezhë, Dibër, Gjirokastër dhe Kukës mbeten më të dobëta ekonomikisht, me kontribute që variojnë nga 1.44% në 3.59%. Kjo shpërndarje dëshmon për një pabarazi të dukshme rajonale në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, me përqendrim të lartë të aktivitetit ekonomik në qendrat urbane dhe bregdetare. Krahasuar me vitin 2022 vihet re një zgjerim i peshës së Tiranës, Vlorës, Fierot dhe Dibrës.

PBB për frymë, një pasqyrë e pabarazisë

Të dhënat e INSTAT theksojnë edhe pabarazitë e mëdha në mirëqenie mes rajoneve. Në Veri, PBB për frymë ishte 819 mijë lekë, 16.8% nën mesataren kombëtare. Në Qendër, arriti në 1.19 milionë lekë, 21.86% mbi mesataren, ndërsa Jug regjistroi 845 mijë lekë, 14.12% më pak se mesatarja e vendit.

Në ndarjen sipas qarqeve, Tirana qëndron në krye me 1.36 milionë lekë për frymë, 38.9% mbi mesataren kombëtare, pasuar nga Durrësi dhe Fieri. Në fund të renditjes janë Kukësi, Dibra dhe Berati, që mbeten ndjeshëm prapa pjesës tjetër të vendit.

Polarizimi ekonomik, një sfidë në rritje

Raporti i INSTAT konfirmon një prirje të qartë drejt përqendrimit të ekonomisë shqiptare në kryeqytet. Tirana tërheq investimet, krijon më shumë vende pune dhe ofron të ardhura më të larta për frymë, ndërsa periferitë dhe veriu përballen me stanjacion ekonomik dhe mungesë mundësish. Sfida e vërtetë mbetet zhvillimi i qëndrueshëm dhe i shpërndarë, që mund të garantojë një Shqipëri më të barabartë në dekadat që vijnë.