Në një deklaratë publike, kreu i qeverisë theksoi se kjo politikë e re synon të përmirësojë ndjeshëm mirëqenien e pensionistëve dhe të garantojë një rritje të qëndrueshme të të ardhurave për ta.
Sipas parashikimeve të qeverisë, në fund të mandatit aktual, nivelet e pensioneve do të jenë si më poshtë:
- Pensioni urban me vite të plota do të shkojë në 40 000 lekë, nga 27 000 lekë që është aktualisht;
- Pensioni urban i pjesshëm do të arrijë në 22 000 lekë, nga 15 000 lekë që është sot;
- Pensioni rural do të shkojë në 18 000 lekë, nga 11 000 lekë aktualisht;
- Pensioni familjar do të jetë 18 000 lekë;
- Pensioni i invaliditetit do të arrijë në 30 000 lekë, nga 20 000 lekë që është aktualisht.
Rama theksoi se kjo rritje graduale është pjesë e reformës për përmirësimin e sistemit të pensioneve dhe rritjen e sigurisë sociale:
“Që nga janari 2026, çdo muaj do të ketë një shtesë reale në pensione. Objektivi ynë është që, deri në fund të mandatit, asnjë pensionist të mos mbetet në kufijtë e mbijetesës.”
Me këtë vendim, qeveria synon të ulë hendekun midis pensioneve urbane dhe rurale, si dhe të garantojë një mbështetje më të fortë për kategoritë në nevojë, në përputhje me rritjen ekonomike dhe politikat e reja sociale.











