Ballina Shqiperia ime Dy lekundje termeti në Shqipëri, ja epiqendra dhe magnituda

Dy lekundje termeti në Shqipëri, ja epiqendra dhe magnituda

Dy lëkundje tërmeti me magnitudë 3.9 dhe 4.0 të shkallës Rihter janë regjistruar pak pas mesnatës së kësaj të hëne në jug të Shqipërisë, sipas të dhënave të publikuara nga Qendra Sizmologjike Evropiane-Mesdhetare (EMSC).

Sipas EMSC-së, lëkundjet janë regjistruar në orën 00:58 dhe 00:59, me epiqendër rreth 16 kilometra në jugperëndim të Çorovodës dhe 77 kilometra në jug të Elbasanit. Thellësia e tërmeteve ka qenë vetëm 2.5 kilometra, çka i klasifikon ato si tërmete të cekëta, pra më të ndjeshme në sipërfaqe.

Lëkundjet janë ndjerë në disa qytete të vendit, përfshirë Elbasanin, Beratin dhe zonat përreth Skraparit, si dhe në disa zona rurale përreth.

Sipas raportimeve të para nga qytetarët në rrjetet sociale, tërmeti është ndjerë për disa sekonda, duke shkaktuar shqetësim, por pa dëme materiale apo viktima të raportuara deri më tani.

Ekspertët sqarojnë se një tërmet me magnitudë 4.0 konsiderohet i moderuar, por kur ndodh në thellësi kaq të vogël, perceptohet më fort nga popullata.

“Tërmetet e cekëta shpesh perceptohen si më të fuqishme, edhe kur magnituda është mesatare,” thuhet në shpjegimin teknik të EMSC.

Epiqendra ndodhet rreth 104 kilometra larg Tiranës, dhe ndonëse nuk janë raportuar pasoja, institucionet e monitorimit sizmik po vijojnë ndjekjen e situatës në rast të paslëkundjeve të mundshme.