Komisioni Europian ka ndarë fonde për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut si pjesë e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Këto pagesa bëhen në faza të ndryshme dhe janë të lidhura me ecurinë e reformave që vendet e rajonit ndërmarrin për përafrimin me standardet e Bashkimit Europian.
Shqipëria përfiton 99.3 milionë euro për kestin e parë, nga të cilat 46.2 milionë euro do të derdhen direkt në buxhetin e shtetit, ndërsa pjesa tjetër do të financojë projekte strategjike përmes Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.
Edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut do të marrin këste të reja: përkatësisht 8.1 milionë euro dhe 16 milionë euro, të ndara ndërmjet buxheteve kombëtare dhe investimeve infrastrukturore.
Projektet që do të mbështeten përfshijnë fusha si transporti i qëndrueshëm, energjia e pastër, dixhitalizimi dhe zhvillimi i kapitalit njerëzor. Fondet do të menaxhohen në bashkëpunim me partnerët e rajonit dhe institucionet financiare ndërkombëtare.
Qëllimi i kësaj pakete financiare është të përshpejtojë rritjen ekonomike në Ballkanin Perëndimor dhe të afrojë më tej vendet e rajonit drejt integrimit në BE. Plani i Rritjes do të mbulojë periudhën deri në vitin 2027 dhe pritet të ofrojë 2 miliardë Euro grante dhe 4 miliardë Euro kredi për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.