Greva e urisë e naftëtarëve të kompanisë “Bankers Petroleum” në Marinzë ka hyrë në ditën e dytë, ndërsa punonjësit deklarojnë se nuk do të tërhiqen pa u plotësuar kërkesat e tyre.
Të punësuarit, të mbështetur nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur, kërkojnë rritjen me 18% të buxhetit vjetor të pagave, duke theksuar se paga mesatare aktuale prej 60 mijë lekësh është e papërballueshme për kushtet e vështira të punës që kryejnë. Ata kërkojnë që asnjë punonjës të mos paguhet më pak se 1,000 euro në muaj, si dhe përmirësim të trajtimit ushqimor e shëndetësor.
Grevës i ka paraprirë një sërë protestash të ditëve të fundit, ndërsa sindikata paralajmëron se do të vazhdojë me masa më të ashpra nëse kompania nuk nis dialogun.
Naftëtarët janë shprehur të vendosur se nuk do të ndërpresin grevën deri në marrjen e garancive konkrete për zgjidhjen e kërkesave të tyre.