Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, nuk i kursente ironitë gjatë raportimit të kryeprokurorit Olsjan Cela në Komisionin e Ligjeve. Ai e krahasoi kryeprokurorin me një “magazines pa mall”, duke vënë në dyshim rolin dhe kompetencat e tij.
“Do ta nis nga Fieri, se aty ke transferuar hartën e re. I nderuar zoti prokuror, dukesh si magazinier pa magazinë. Duket sikur inventarizon, por nuk mund të kontrollosh hyrje e dalje,” tha Korreshi.
Deputeti theksoi se perceptimi i qytetarëve për reformën në drejtësi lidhet kryesisht me SPAK, por sipas tij, reforma ka dështuar. “Ka më shumë të dënuar për vepra penale dhe kundërvajtje, duke prekur drejtpërdrejt jetën e të rinjve,” shtoi ai.
Korreshi ngriti pyetje për ligjin e Prokurorit të Përgjithshëm, duke sugjeruar nevojën për një balancim të kompetencave: “A duhet të ndërhyjmë për të pasur një kontroll efektiv mbi prokurorët e niveleve më të ulëta, pa kthyer kompetencat aty ku ishin më parë? Sot duket sikur kryeprokurori ka humbur fuqinë e tij.”
Gjatë fjalës së tij, deputeti solli shembuj të rasteve që sipas tij reflektojnë padrejtësi, nga dhuna në familje deri te penalizimet për sasi të vogla droge. Ai ironizoi kontrastin mes rasteve: “Njeri dënohet për një cigare hashash, tjetri për një ton del nga burgu. Çfarë logjike ka kjo?”
Fjala e tij u prit me të qeshura në sallë, ndërsa ai iu drejtua edhe prokurorëve të pranishëm: “Zoti Ulsi, mos u mërzisni. Nuk mërzitem unë që jam hero, jo ti që je armik. Kaq kisha.”