Sipas INSTAT, një familjeje shqiptare i duhen mesatarisht 93 mijë lekë në muaj për shpenzimet bazë; në Tiranë, mbi 108 mijë lekë.
Jetesa në Shqipëri po rëndohet ndjeshëm, teksa kostot bazë për familjet shqiptare janë rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë vitit të fundit.
Sipas të dhënave të fundit nga Instituti i Statistikave (INSTAT), një familjeje mesatare në vend i duhen rreth 93 mijë lekë në muaj për të mbuluar nevojat bazë të jetesës.
Në kryeqytet, kjo shumë arrin në rreth 108 mijë lekë, duke e bërë Tiranën qytetin më të shtrenjtë në vend.
Raporti i INSTAT analizon gjithashtu lidhjen midis nivelit arsimor të kryefamiljarit dhe strukturës së shpenzimeve. Gjatë vitit 2024, familjet me kryefamiljar me arsim të lartë kanë shpenzuar më pak se një vit më parë, çka tregon një menaxhim më të kujdesshëm të buxhetit.
Në të kundërt, familjet me nivel arsimor më të ulët kanë shënuar rritje të ndjeshme të shpenzimeve, duke reflektuar presionin e çmimeve në produktet bazë.
Sipas ekspertëve, këto të dhëna sugjerojnë se niveli i arsimimit ndikon jo drejtpërdrejt në shumën e shpenzuar, por në aftësinë për kursim dhe planifikim financiar.
Në krahasim me qytetet e tjera, Tirana mbetet më e papërballueshme për familjet me të ardhura të vetme, për shkak të rritjes së shpejtë të qirave, çmimeve të ushqimeve dhe kostove të shërbimeve.
Ndërkohë, taksimi i të dypunësuarve në kryeqytet po shihet nga shumë vëzhgues si një politikë e diskutueshme, që shton barrën ekonomike dhe ndikon negativisht në standardin e jetesës së qytetarëve.