Ekipet e Albpetrol kanë zhvilluar një inspektim në terren në Dekantimin Usojë, ku u fokusuan në gjendjen teknike të rezervuarëve të naftës dhe funksionalitetin e infrastrukturës ekzistuese të magazinimit.
Kontrolli i kryer kishte për qëllim jo vetëm monitorimin e detajuar të kapaciteteve, por edhe vlerësimin e rrjedhjeve të mundshme dhe masave që nevojiten për rehabilitimin e strukturave.
Sipas specialistëve, ky proces është pjesë e angazhimit të përditshëm për të garantuar standarde të larta sigurie, si dhe për të ndërtuar një industri energjetike më të qëndrueshme dhe efikase.
“Siguria teknike mbetet prioritet në çdo hap. Vetëm përmes monitorimit të vazhdueshëm mund të sigurojmë jo vetëm mbrojtjen e mjedisit, por edhe rritjen e performancës në sektorin e naftës”, theksojnë përfaqësues të kompanisë.
Ky inspektim është pjesë e një serie kontrollesh që Albpetrol po ndërmerr në disa pika kyçe të vendburimeve dhe rezervuarëve në vend, me synim modernizimin e infrastrukturës ekzistuese dhe përmirësimin e efikasitetit të saj.