Drejtoria Vendore e Policisë Fier ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit janë kryer disa arrestime dhe procedime penale për shkelje të ligjit dhe ngjarje të ndodhura në qark.
Policia arrestoi në flagrancë:
- I. Ç., 38 vjeç, banues në fshatin Germenjë, Divjakë, pasi në gjendje të dehur, me automjetin që drejtonte, u përplas me një tjetër mjet, duke shkaktuar dëme materiale.
- H. B., 53 vjeç, banues në Elbasan, i cili në aksin rrugor “Fier-Shegan–Thanë” u përplas me një motomjet. Për pasojë u plagos drejtuesi i tij, F. H., 65 vjeç, si dhe pasagjerja N. H., 55 vjeçe. Të dy ndodhen nën kujdesin e mjekëve.
- E. D., 36 vjeç, banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur.
Gjithashtu, u procedua në gjendje të lirë A. T., 60 vjeç, banues në Fier, i dyshuar se ka vjedhur portofolin e një shtetasi 38-vjeçar.
Ndërkohë, në Lushnjë është regjistruar një ngjarje e rëndë. Në lagjen “18 Tetori”, dyshohet se në gjendje të rënduar psikologjike, ka kryer vetëvrasje në banesën e tij P. D., 64 vjeç. Hetimet vijojnë për të dokumentuar plotësisht rrethanat.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.