Para Gjykatës së Lushnjës ka dalë sot 25-vjeçari Xhesion Toromëni, i akuzuar për vrasjen me thikë të Besmir Kumries në Divjakë. Seanca gjyqësore u zhvillua nën drejtimin e gjyqtares Aurora Tusha, ndërsa çështjen e përfaqësoi prokurori Kristi Jorgji.
Ngjarja e rëndë ndodhi mbrëmjen e 19 gushtit, në një lokal në Kryekuq të Divjakës, ku Kumria ndodhej me miqtë e tij. Toromeni është afruar dhe e ka goditur me thikë, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Hetimet paraprake kanë nxjerrë në pah se mes dy familjeve kishte pasur përplasje të vazhdueshme për kanalin e ujit, që mendohet të jetë edhe shkaku kryesor i krimit. Pas ngjarjes, autori u largua nga vendi i krimit, por u kap disa orë më pas nga shërbimet operacionale të Policisë së Fierit.
Aktualisht, ndaj Toromenit është ngritur akuza për “vrasje me paramendim”, ndërsa pritet vendimi i gjykatës mbi masën e sigurisë.