Një zjarr i ndezur me qëllim pas një konflikti mes dy bashkëfshatarëve ka vënë në rrezik banesa, bagëti dhe sipërfaqe të mbjella me ullinj në fshatin Drashovicë të Selenicës.
Policia njofton se ka ndaluar shtetasin E. B., 43 vjeç, banues në Drashovicë, i dyshuar si autor i zjarrvënies së qëllimshme. Hetimet paraprake tregojnë se ngjarja ndodhi më 21 gusht 2025, rreth orës 19:30, në vendin e quajtur “Fshati i Vjetër”, ku pas një konflikti me bashkëfshatarin e tij, shtetasin F. N., 43-vjeçari dyshohet se i vuri zjarr tokës.
Flakët dogjën një sipërfaqe me ullinj dhe rrezikuan bagëtitë e imta të F. N., ndërsa ndërhyrja e shpejtë parandaloi përhapjen e mëtejshme të zjarrit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore ndaj të ndaluarit.